vendi

vendi_heading

E gjendur në rajonin e varfer dhe me popullsi të ulët të Mirditës, në zonën qëndore të veriut të Shqipërisë, lugina shkëmbore e Spaçit është krejtësisht e vetmuar, një burg natyral. Gjatë viteve 1960 autoritetet Komuniste të Shqipërisë e vunë re këtë; ata ndërtuan atje një burg me modelin e gulagut Stalinist – kushte të ashpra natyrore të kombinuara me punën e detyruar në minierë.

Burgu i Spaçit u ndërtua mbi tarracat e një rrëpire të pjesës malore. Sipër burgut ndodheshin pesë hyrje për në minierë, në nivele të ndryshme. Dy godinat e qelive dhe godina të tjera mbështetëse u ndërtuan mbi një platformë të improvizuar që sheh mbi  lum. Ky grumbull formonte bërthamën e kompleksit të burgut, i ndarë nga pjesa jugore prej portës kryesore. Duke parë largësinë e burgut dhe terrenin e pjerrët, muret perimetrale nuk ishin të nevojshëm. Në vend të tyre, rrethimi me tela me gjemba, i kontrolluar me vendroje të rastit, mbyllnin gjithë kompleksin, duke u bashkuar te porta hyrëse. Menjëherë jashtë kësaj porte qëndronin godinat e administratës. Më poshtë rrugës, dy kulla të larta strehonin stafin teknik të minierës dhe burgut, me familjet e tyre.

historia_heading

Para vitit 1968, Shqipëria komuniste kishte dy lloj burgjesh – burgje izolimi dhe kampe për punë të detyruar. Në Spaç kombinoheshin të dyja. Ashtu si në vende të tjera Komuniste, shumë nga të burgosurit në Shqipëri u burgosën për arsye politike. Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vlerëson që nën regjimin Komunist ishin rreth 50,000 të burgosur për arsye politike, në një sistem prej 23 burgjesh dhe 48 kampe internimi. Me një numër maksimal prej rreth 1400 të burgosurish, Spaçi ishte një hallkë e vogël në makinerinë e madhe të shtypjes, por kushtet çnjerëzore të minierës dhe profili i lartë i disa prej të burgosurve politikë, shumica prej tyre intelektualë, i dha këtij vendi një peshë të madhe simbolike.

Një episod rezistence në këtë burg-ferr vazhdon të jetë i pranishëm në kujtesën kolektive – revolta e Spaçit. Në 21 – 23 Maj 1973, të burgosurit e Spaçit morrën kontrollin e burgut përmes një revolte të përgjithshme. Kjo ngjarje është një nga çastet më vendimtare në historinë e këtij vendi.

Dy ishin arsyet e fillimit të revoltës në këtë vit të veçantë. E para ishte një lëvizje lehtësisht liberalizuese që dukej sikur po ndërmerrte Partia Komuniste në fillim të viteve 70, por që rezultoi thjesht një iluzion, që u u shbë plotësisht po nga vetë Partia. E dyta arsye shpjeguese e revoltës ishin kushtet «mesjetare» të punës në miniera. Të burgosurit ishin të detyruar të punonin nëntokë me orë  të stërzgjatura, duke përdorur mjete primitive pune në një nxehtësi mbytëse që mund të arrinte shpesh deri në 40 gradë, e duke shkatërruar kështu mushkëritë e tyre nga lloj-lloj pluhurash e tymrash toksikë. Kështu trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore mijëra vetë, ndërkohë që regjimi trumpetonte me të madhe që «Njeriu është kapitali më i çmuar».

Për më shumë se dy ditë të burgosurit mbajtën nën kontroll një pjesë të kampit, duke arritur madje të ngrinin flamurin kuqezi pa yllin komunist (flamuri ynë i sotshëm) duke bërtitur njëzëri fjali të palejueshme për kohën si «Ne jemi me Evropën e lirë!», «Vdekja a liri» apo «Poshtë komunizmi!». Për shumë vetë ajo që ndodhi në Spaç ishte e para revoltë kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Pas shtypjes së revoltës, udhëheqësit e saj u ekzekutuan ose panë te ashpërsoheshin së tepërmi dënimet e tyre me burgim, por kjo ngjarje e ktheu Spaçin një gur themeltar të kujtesës kolektive shqiptare.

statusi_heading

Vitet e para të 90-ve sollën fillimisht mbylljen e minierave duke i paraprirë kështu kyçjes graduale të krejt burgut, të braktisur përfundimisht në vitin 1995. Që atehërë, ky vend ka pësuar shumë degradime, grabitje e është lënë tërësish pas dore. Edhe pse ish-burgu u shpall Monument i kategorisë së dytë nga Qeveria në Dhjetor 2007, ritmi i shkatërrimit të Spaçit nuk është ulur – çdo vit e më shumë muret e ish-burgut shkërmoqen deri në hiç teksa njerëz të dëshpëruar përpiqen të nxjerrin prej tyre hekurishtet. Në vitin 2009, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve vendosi që Spaçi të restaurohej për tu kthyer në një muze, por ende priten financimi për të filluar punën.