Spaçi – shëmbuj të ngjashëm nga bota

Goli Otok, kamp ri-edukimi për rreth 40 vjetë. Foto e mundësuar ngha voxeurop.eu

Goli Otok, kamp ri-edukimi për rreth 40 vjetë. Foto e mundësuar ngha voxeurop.eu

Ky është postimi i parë i një serie prej pesë postimesh rreth shembujve të ndryshëm të burgjeve, kampeve të punës së detyrueshme dhe vendeve të kujtesës që sot funksionojnë si muze. Hulumtimi dhe teksti i këtyre postimeve kanë si autor Erica Mollon, studente në Masterin e Ruajtjes Historike dhe Planifikimit Urban, gjate praktikës së saj në zyrën e CHwB-së në Tiranë, Shqipëri.

Nëse burgjet në kuptimin klasik shërbenin për izolimin e keqbërësve për krimet e kryera, në burgjet politike dënoheshin njerëz të thjeshtë. Sikurse burgjet, kampet e punës së detyrueshme dhe gulagët ishin menduar për të njëjtin funksion, të “riedukonin” të dënuarit, të cilët pas ‘rihabilitimit’ mund të riktheheshin në gjirin e shoqërisë. Kampet e përqëndrimit, kishin një tjetër qëllim, të largonin nga shoqëria çdo element të rrezikshëm, për ta asgjesuar nëpërmjet punës së rëndë fizike, formulë kjo që gati gjithmonë çonte në vdekje. Kampet e punës së detyruar u përgjigjeshin një racionaliteti ekonomik gjithashtu – krahu i punës pa kosto – ku vdekja ishte një fatkeqesi në zinxhirin e shfrytëzimit. Rastet në vijim (shumica nga Evropa Lindore) vijnë nga burgje të cilët janë kthyer në vënde të kujtesës të vizitueshme nga publiku. Në postimet tona të ardhshme, do të shohim se si është vepruar në secilin rast, në varësi dhe të kontekstit, me aspektet e rëndësishme të edukimit, komunikimit, sigurimit të fondeve të nevojshme, rindërtimit fizik (ose jo) dhe përvojës që i ofrohet vizitorëve.

I burgosur me fytyrë të mbuluar në Eastern State Penitentiary. Foto e mundësuar nga easternstate.org

I burgosur me fytyrë të mbuluar në Eastern State Penitentiary. Foto e mundësuar nga easternstate.org

Burgu i Istern Stejt (Eastern State Penitentiary), SHBA

Burgu i Istern Stejt ndodhet në shtetin e Pensilvanisë në SHBA dhe ka qënë i pari i këtij lloji kur u ndërtua në vitin 1829. Filozofia e burgimit bazohej tek koncepti fetar i pendesës: izolimi dhe vetmia mendohej që i bëntë të dënuarit të pendoheshin për gabimet e tyre. Kur u lejohej të dilnin nga qelitë e tyre, të burgosurve u vihej një mbulesë në kokë që të mos shikonin asnjë njeri tjetër. Po të heqim një paralele me Spaçin, ku pendimi për gabimet e bëra apo të supozuara duhej të vinte përmes punës së detyrueshme, në këtë sistem bëhet fjalë për vetë-reflektim të detyrueshëm.

Sighet, Rumani

Disa nga të burgosurit politikë në Sighet në 1950. Foto e mundësuar nga memorialsighet.ro

Disa nga të burgosurit politikë në Sighet në 1950. Foto e mundësuar nga memorialsighet.ro

Fillimisht ky burg i ndërtuar në Sighet, Rumani në vitin 1897, strehonte të burgosur ordinerë. Funksioni i tij ndërron pas Luftës së Dytë Botërore me riatdhesimin në Rumani të mërgimtarëve dhe robërve të luftës. Në vitin 1948 fillojnë të burgosurit e parë politikë, kryesisht studentë dhe fshatarë të krahinës që vuajnë dënimin në Sighet. Shpejt u vjen rradha ish-politikanëve, intelektualëve, ushtarakëve të lartë, historianëve, gazetarëve dhe priftërinjve katolikë. Kushtet e jetesës ishin tejet të rënda – errësirë, ftohtë, uri – dhe të burgosurit keqtrajtoheshin dhe vriteshin sistematikisht. Në vitin 1955, burgu u hap sërish ndaj të burgosurve ordinerë teksa një pjesë e të burgosurve politikë mbetën po aty. Si në Spaç, popullsia e përzier e të burgosurve vuajti dënimin deri në mbylljen përfundimtare të burgut në vitin 1977.

Burgjet “ishuj” të Makronisos, Greqi dhe të Goli Otok-ut, Kroaci

Rrënojat e burgut në Makronisos. Foto e mundësuar nga distilledx3.wordpress.com

Rrënojat e burgut në Makronisos. Foto e mundësuar nga distilledx3.wordpress.com

Makronisos, Greqi dhe Goli Otok, Kroaci janë të dy burgje të ndërtuara në ishull. Makronisos u konceptua për të rinj në moshën e shërbimit ushtarak me ide politike të ‘rrezikshme’, por në të dy burgjet u burgosën dhe njerëz të thjeshtë. Në të dy rastet torturat përdoreshin si mjet ‘rehabilitimi’ i të burgosurve. Në Goli Otok, të burgosurit punonin në miniera – ashtu si të burgosurit në Spaç – por atyre ju desh të ndërtonin dhe vetë objektet që do ti mbanin të mbyllur në ishullin e izoluar. Në të dy burgjet ka pasur shkrimtarë, regjizorë, artistë të burgosur, të cilët pasi fituan lirinë përfshinë vitet e burgut ishullor në krijimtarinë e tyre. Makronisos u mbyll në vitet 70 dhe Goli Otok në 1988.

Gulag Perm-36, Rusi

Perm-36 në 1947. Vizatimi u mundësua nga gulaghistory.org

Perm-36 në 1947. Vizatimi u mundësua nga gulaghistory.org

Gulag Perm-36 është një ish burg-kamp pune i krijuar në Bashkimin Sovietik në vitin 1942. Në këtë rajon verior të Rusisë së sotme, të burgosurit nuk punonin në minerë, por në pyje duke prerë e punuar dru. Në fillimet e tij popullsia e burgosur ishte në shumicë ordinere me vetëm pak të dënuar për arsye politike. Në vitet 50 ai u shndërrua në një vend pritjeje për ish zyrtarë të administratës. Për shkak se disa prej të burgosurve, kishin qenë dikur punonjës të vetë burgut, numri i arratisjeve u rrit, gjë që çoi në forcimin e perimetrit të rrethimit. Në vitin 1972 Kampi ndërroi sërish petk për tu bërë burg politik. Që prej këtij viti, kapacitetet e përpunimit të lëndës drusore në kamp nuk rreshti së rrituri çka shkonte paralel me shtimin e numrit të burgosurve politikë. Viti 1988 solli dhe mbylljen përfundimtare të këtij kampit.

Së fundmi për kategorinë e kampeve të përqëndrimit, po sjellim këtu shembujt e Aushvicit në Poloni dhe të Staro Sajmishtes në Serbi.

Aushvic (Auschwitz), Poloni

Sigurisht, ky është shembulli më i njohur i kampeve të përqëndrimit, i cili i hapi dyert në vitin 1940. Për vetëm katër vite e gjysmë 1.1 milion njerëz gjetën vdekjen në këtë vend. Në këtë shifër përfshihen përveç popullsisë çifute të persekutuar dhe të burgosurit politikë, robërit e luftës dhe ata që ishin shpallur të padëshiruar nga partia Naziste. Falë dëshmive të atyre që u mbijetuan vuajtjeve të këtij kampi kemi sot një larmi veprash artistike e letrare mbi Aushvicin.

Staro Sajmishte (Staro Sajmište), Serbi

Staro Sajmište, 1937. Foto e mundësuar nga starosajmiste.info

Staro Sajmište, 1937. Foto e mundësuar nga starosajmiste.info

Ndërtimi i saj nisi në vitin 1937, në një vendqëndrim panairesh jo larg lumit Sava në Beograd, Serbi. Nën pushtimin gjerman u shndërrua në një kamp përqëndrimi, ku fillimisht u dënuan gra, fëmijë e të moshuar çifutë apo me prejardhje rome. Vetëm një pjesë e popullsisë rome mundi të rigjejë lirinë, teksa të tjerët u ekzekutuan në dhoma gazi. Pas kësaj masakre, kampi u përdor si një qendër paraburgimi për ata të burgosur që prisnin të transferoheshin në të tjerë kampe të nazistëve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s